
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në aktivitetin përkujtimor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nën temën “Ura që lidh brezat”.
Ceremonia nisi në oborrin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme me mbjelljen e një peme ulliri, simbol i paqes, kujtesës dhe vazhdimësisë.
Spiropali risolli në vëmendje fjalën e Kryeministrit Rama në Parlamentin e Izraelit për të dëshmuar forcën e humanizmit të shqiptarëve me aktin e shpëtimit të hebrenjve gjatë Holokaustit.
“Dje, në seancën historike të mbajtur në Knesset, Kryeministri Edi Rama riktheu në vëmendjen e të gjithëve shembullin e jashtëzakonshëm të dritës shqiptare gjatë kapitullit më të errët të njerëzimit, Holokaustit. ‘Arin po, hebrenjtë jo’, ishte përgjigja e vitit 1943 përballë ultimatumit të Gjermanisë Naziste, nga populli dhe autoritetet shqiptare. Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që përfundoi luftën me 15-fish më shumë hebrenj nga sa e nisi. Në një kohë kur edhe vende shumë më të pasura ranë pre e një flame totalitare, Shqipëria pikërisht në kodin e saj moral gjeti forcën për të mbrojtur të ndryshmin dhe për të nderuar jetën. Ne jemi krenarë për këtë majë morale që meriton të dëshmohet kudo”, tha Spiropali.
Sipas saj, “orientimi ynë i drejtë, qasja jonë parimore dhe kontributi përtej madhësisë së vendit dhe numrit të popullsisë në politikën tonë të jashtme e ka bërë Shqipërinë një partner e aleat të besueshëm dhe të vlerësuar.”
“Shqipëria vendosi t’i bashkohet Kartës së Bordit të Paqes së Presidentit Trump përmes pjesëmarrjes së Kryeministrit Rama. Si një vend që dolë nga errësira e totalitarizmit, me një vëllazëri fetare shembullore dhe pa çarje etnike, Shqipëria e dëshmon botës busullën e saj morale dhe vlerat universale që na bashkojnë”, tha Spiropali.
Në ceremoni u publikua edhe një videomesazh i posaçëm nga Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, i cili theksoi se “historia unike e Shqipërisë qëndron sot si një shembull morali dhe guximi për mbarë botën.”
“Gjatë Holokaustit, ndërsa në pjesën më të madhe të Europës hebrenjtë deportoheshin drejt kampeve të vdekjes, populli shqiptar u ngrit për t’i mbrojtur ata në emër të kodit të tij të nderit, Besës. Asnjë hebre nuk iu dorëzua vdekjes. Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar nga nazistët ku popullsia hebre jo vetëm që mbijetoi, por u shtua në numër gjatë Holokaustit. Kjo është një e vërtetë që nuk do të harrohet kurrë. Populli hebre dhe Shteti i Izraelit do të jenë gjithmonë mirënjohës për guximin tuaj dhe për shpëtimin e hebrenjve”, deklaroi Ministri Sa’ar.
Në ceremoni morën pjesë nxënësit e Shkollës Gjermane “Refik Veseli” në Berlin dhe të Gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët vendosën në “Pemën e Kujtesës” mesazhe simbolike si shprehje e angazhimit të brezit të ri për ta kthyer kujtesën në veprim.








