Categories BOTA

Zvicër/ Pagoi 215 mijë euro garanci, lirohet nga burgu pronari i lokalit ku humbën jetën 40 persona

Gjykata e Masave Shtrënguese e Sionit ka vendosur lirimin nga burgu të Jacques Moretti-t, pronar i lokalit Le Constellation në Crans-Montana, ku natën e Vitit të Ri humbën jetën 40 persona dhe 116 të tjerë u plagosën. Burri së bashku me bashkëshorten e tij Jessica Maric-është nën hetim për vrasje nga pakujdesia, plagosje dhe zjarrvënie nga pakujdesia.

Moretti, i cili ka paguar një garanci prej 200 mijë frangash zvicerane (rreth 215 mijë euro), do të jetë gjithsesi subjekt i masave parandaluese, si detyrimi për paraqitje periodike dhe dorëzimi i dokumenteve të identitetit.

Vendimi i Gjykatës së Masave Shtrënguese për lirimin e Jacques Moretti-t është marrë, ‘pas një rivlerësimi të rrezikut të arratisjes-thuhet në motivim-dhe pas shqyrtimit të origjinës së fondeve dhe natyrës së marrëdhënieve midis të pandehurit dhe personit që ka paguar garancinë’, e cila arrin në rreth 215 mijë euro.

E njëjta gjykatë nuk e ka konsideruar të nevojshme vendosjen e byzylykut elektronik për Jacques Moretti-n, siç kishte kërkuar Prokuroria e Përgjithshme e kantonit Valais. ‘Masat klasike’ të zbatuara janë ndalimi i largimit nga territori zviceran, detyrimi për të depozituar të gjitha dokumentet e identitetit dhe qëndrimit pranë Prokurorisë Publike, detyrimi për t’u paraqitur çdo ditë në një komisariat policie, si dhe pagesa e garancisë.

Meloni: ‘Qeveria do të kërkojë shpjegime për lirimin e Moretti-t’

‘Jam e indinjuar nga lajmi i lirimit të Jacques Moretti-t, pronar i lokalit Le Constellation në Crans-Montana. E konsideroj një fyerje ndaj kujtimit të viktimave të tragjedisë së Vitit të Ri dhe një insult ndaj familjeve të tyre, të cilat po vuajnë për humbjen e njerëzve të dashur. Qeveria italiane do t’u kërkojë llogari Autoriteteve Zvicerane për atë që ka ndodhur’, deklaroi kryeministrja Meloni.

Tajani: Fyerje ndaj familjeve

‘Nuk kam fjalë për të komentuar lirimin në Zvicër të Jacques Moretti-t. Është një akt që përfaqëson një fyerje të vërtetë ndaj ndjeshmërisë së familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre në Crans-Montana, dhe që nuk merr parasysh zinë dhe dhimbjen e thellë që këto familje ndajnë me popullin italian’, shkroi në X ministri i Jashtëm Antonio Tajani. ‘Po të isha unë, nuk do ta kisha dhënë lirinë me kusht. Një vendim që lë shumë për të dëshiruar’, shtoi Tajani në një deklaratë në margjinat e manifestimit të Forza Italia-s në Napoli.

Për këtë çështje ka reaguar edhe ministri i Infrastrukturës Matteo Salvini, i cili ka postuar në X lajmin e lirimit të Moretti-t, të shoqëruar me komentin: ‘Turp!’.

Garancia dhe rreziku i arratisjes

Që në ditët e mëparshme, shuma prej 200 mijë frangash kishte shkaktuar polemika, pasi fillimisht shtypi zviceran kishte parashikuar një garanci prej një milion frangash. Prokuroria e Sionit e kishte justifikuar kështu zgjedhjen e saj: ‘Duke qenë se i pandehuri aktualisht nuk ka asnjë të ardhur, se ai dhe bashkëshortja e tij zotërojnë pasuri të paluajtshme të hipotekuara dhe automjete me leasing, shuma duket e përshtatshme’. Në dokumente të tjera përmendet edhe shuma e hipotekave. Mbi dy pasuri të paluajtshme të çiftit të akuzuar (për vrasje nga pakujdesia, plagosje të rëndë nga pakujdesia dhe zjarrvënie me pasoja fatale) për tragjedinë e Vitit të Ri, atë pranë lokalit Le Constellation në pronësi të tyre, rëndojnë hipoteka prej 1.100.000 dhe 250.000 frangash.

 ‘Nuk kam menduar kurrë të arratisem, as nuk më ka shkuar ndër mend. Familja dhe miqtë e mi janë këtu. Nuk kam një jetë diku tjetër, sepse jeta ime është këtu. Nëse duhet të gjej një punë ndërkohë që procedimi është në vazhdim, do ta gjej. Është e paimagjinueshme. E dua shumë familjen time për ta vënë në rrezik me një veprim të tillë. Nuk kam pasur kurrë qëllim të largohem nga Zvicra, sepse dua që e vërteta të dalë në dritë për gjithë këtë çështje. Babai im erdhi të më vizitonte me makinë dhe mund të isha larguar me të…’, kishte deklaruar Moretti para gjyqtarëve në lidhje me një lirimin e mundshëm nga burgu. /Corriere della Sera

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *