
Austria miratoi sot një ligj që u ndalon vajzave nën moshën 14 vjeç të mbajnë shami koke në shkollë.
Koalicioni qeverisës i tre partive të qendrës, Partia Popullore Austriake (OVP), Partia Socialdemokrate (SPO) dhe Neos, tha se ligji përfaqësonte një “angazhim të qartë për barazinë gjinore”, ndërsa kritikët thanë se do të nxiste ndjenjat anti
-muslimane në vend dhe mund të ishte jokushtetues.
Një ndalim i ngjashëm i shamisë për vajzat nën 10 vjeç u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2020, pasi synonte posaçërisht muslimanët.
Ligji i ri do t’ua ndalojë vajzave nën moshën 14 vjeç të mbajnë shami “tradicionale myslimane” si hixhabet ose burkat.
Masa do të zbatohet për vajzat si në shkollat publike ashtu edhe në ato private, raporton BBC.
Nëse nxënësi shkel ndalimin, ai duhet të zhvillojë diskutime me autoritetet e shkollës dhe kujdestarët e tij ligjorë, dhe nëse shkeljet përsëriten, duhet të njoftohet agjencia e mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve.
Si mjet i fundit, familjet ose kujdestarët mund të gjobiten deri në 800 euro.
Anëtarët e qeverisë deklarojnë se bëhet fjalë për fuqizimin e vajzave të reja, duke pretenduar se qëllimi është mbrojtja e tyre “nga shtypja”.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Neos Liberale, Janik Shetty, tha para votimit se ligji “nuk është një masë kundër fesë, por një masë për të mbrojtur lirinë e vajzave”, duke shtuar se ndalimi do të prekë rreth 12,000 fëmijë.
Partia e Lirisë e Austrisë (FPO) e ekstremit të djathtë në opozitë, e cila votoi pro ndalimit, tha se ai nuk shkonte mjaftueshëm larg dhe duhet të zbatohej për të gjithë nxënësit dhe stafin e shkollës.
Vetëm të Gjelbrit e opozitës votuan kundër ndalimit sepse besojnë se ligji i ri është jokushtetues, ndërsa Bashkësia zyrtare Islame në Austri (IGGO) njoftoi se ndalimi shkel të drejtat themelore.
“Në vend që t’u jepet fuqi fëmijëve, ata do të stigmatizohen dhe margjinalizohen”, tha IGGO, duke shtuar se do të shqyrtojë “kushtetutshmërinë e ligjit dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm”.
Periudha prove e zbatimit të ligjit do të fillojë në shkurt të vitit 2026, dhe ndalimi do të hyjë në fuqi plotësisht shtatorin e ardhshëm, me fillimin e vitit të ri shkollor.








