
Prokuroria e shtetit Jalisco ka bërë të ditur se vrasja e Valeria Márquez, një influencuese 23-vjeçare meksikane, po hetohet si një rast i mundshëm feminicidi. Ngjarja e rëndë ndodhi të martën, në një sallon bukurie pranë qytetit Guadalajara, ku e reja po realizonte një transmetim të drejtpërdrejtë në TikTok.
Sipas autoriteteve, Márquez po fliste me një shpërndarës jashtë kamerës në momentin kur u qëllua me një plumb në kraharor dhe një tjetër në kokë. Policia konfirmoi se ajo humbi jetën në vendngjarje.
Vrasja ndodhi në komunën Zapopan dhe ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale, ku ndjekësit e saj kanë shpërndarë mesazhe dhimbjeje dhe trishtimi.
Prokurorët e çështjes e kanë klasifikuar rastin si një feminicid të mundshëm – një formë vrasjeje që ndodh kur viktima është shënjestruar për shkak të gjinisë.
Sipas të dhënave më të fundit të OKB-së, Meksika renditet e katërta në Amerikën Latine dhe Karaibe për numrin më të lartë të feminicideve.
Vetëm pak orë pas vrasjes së Márquez-it, në një kafene aty pranë u vra edhe ish-deputeti i Partisë Revolucionare Institucionale (PRI), Luis Armando Córdova Díaz. Policia po vijon hetimet për këtë rast, i cili ndodhi në një zonë ku kartelet e drogës, veçanërisht ai i “Jalisco New Generation”, kanë kontroll të fortë.
© SYRI.net








