Categories VENDI

Familjar, miq e bashkëqytetarë të të vdekurve nga Koçani po u afrohen varrezave për t’iu dhënë lamtumirën e fundit

Kortezhi i viktimave nga Koçani po i afrohen dalëngadalë varrezave të qytetit. Kortezhi drejtohet nga të rinj që mbajnë fotot e disa prej atyre që humbën jetën nga zjarri, shkruan 360 Gradë, transmeton Top24.

Pas tyre shkojnë automjetet e varrimit me trupat e të vdekurve.

Të gjitha rrugët e Koçanit janë mbushur plot me njerëz që po shkojnë drejt varrezave të qytetit për t’i dhënë nderimet e fundit të të vdekurve. Ata mbajnë lule në duar, me vështrim të heshtur, me lot në sy.

Ka prani të shtuar të policisë për sigurimin e ngjarjes.

Deri më tani, gjithçka po shkon  mirë, në rregull. Shumica e ekipeve të mediave janë në rrugën kryesore nga ku mund të filmonin kortezhin, por më poshtë, siç edhe bënë thirrje autoritetet, nuk ka pothuajse asnjë ekip gazetarësh pranë varrezave.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe në konsultim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), si dhe me Sindikatën e Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM), kanë përgatitur një protokoll sigurie për raportim nga ceremonia mortore e viktimave të ngjarjes tragjike që ndodhi më 16 mars në Koçan.

Për përfaqësuesit e mediave që do të raportojnë për ngjarjen, pjesëtarët e policisë do të sigurojnë një zonë të veçantë nga rruga e kortezhit, në një distancë prej 300 metrash nga hyrja e kapelës deri te varrezat e qytetit në Koçan. Kjo hapësirë do të ruhet nga pjesëtarët e MPB-së me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në zonën e përcaktuar. Në këtë zonë do të vlejë gjithashtu ndalimi për përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot (dronëve).

Ky protokoll mediatik ka për qëllim mbrojtjen e privatësisë së familjeve të viktimave, duke mundësuar njëkohësisht që gazetarët dhe kameramanët ta ndjekin ngjarjen në mënyrë të sigurt nga një distancë e përshtatshme.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e kësaj tragjedie dhe standardet etike universale për raportim profesional, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) si dhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele u bëjnë thirrje të gjithë gazetarëve dhe mediave të respektojnë parimet e mëposhtme etike gazetareske:

  • Respektimi i dhimbjes personale dhe dinjitetit – Gazetarët duhet të raportojnë me empati, pa ndërhyrë në privatësinë e familjeve të viktimave.
  • Shmangia e senzacionalizmit – Raportimi për ngjarjet tragjike duhet të jetë i çliruar nga senzacionalizmi, spekulimet apo narrativave, fotografi dhe video emocionalisht të ngarkuara.
  • Publikimi i informacioneve të verifikuara – Duhet të transmetohen vetëm fakte të konfirmuara për të shmangur dezinformimin.
  • Ruajtja e balancimit dhe paanshmërisë – Mediat duhet të sigurojnë që raportimi i tyre të mos shkaktojë shqetësim publik.

Në konferencën e djeshme (19 mars), ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se deri më tani në hetim janë përfshirë 26 persona, por ky numër nuk do të jetë përfundimtar.

Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *