Categories VENDI

Sela: Le të jetë ky 28 Nëntor një thirrje për unitet, vetëdije dhe veprim të vendosur

Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, ka përcjellë një mesazh urimi, duke bërë thirrje për unitet kombëtar, vetëdije dhe përgjegjësi në mbrojtjen e identitetit dhe të drejtave të shqiptarëve.

Sela ka theksuar se trashëgimia e rilindësve dhe sakrifica e dëshmorëve të kombit nuk duhet të mbeten vetëm pjesë e kujtesës historike, por të shërbejnë si udhërrëfyes për veprimet e përditshme dhe përgjegjësitë ndaj brezave të ardhshëm. “Sot kujtojmë me nderim dhe përulje të thellë vizionin e rilindasve tanë, të cilët me penë, fjalë e guxim hodhën themelet e shtetformimit dhe të vetëdijes kombëtare, si dhe sakrificën sublime të dëshmorëve të kombit. Amaneti i tyre nuk është thjesht një kujtim i bukur i së kaluarës, por një detyrim i përditshëm që na udhëheq në çdo hap”, ka shkruar Sela.

Kreu i Lidhjes Shqiptare ka nënvizuar se flamuri kuqezi, i ngritur në Krujë dhe në Vlorë, mbetet simbol i bashkimit, dinjitetit dhe qëndresës së shqiptarëve, ndërsa ruajtja e gjuhës, kulturës, historisë dhe identitetit kombëtar përbën përgjegjësi ndaj brezave që vijnë. “Përgjegjësia jonë ndaj flamurit dhe ndaj Kombit matet me përkushtimin tonë për të mbrojtur të drejtat tona, për të punuar me ndershmëri dhe për të mos u dorëzuar kurrë përballë sfidave”, ka theksuar ai.

Në mesazhin e tij, Sela ka bërë thirrje që festa e 28 Nëntorit të shërbejë edhe si moment reflektimi për përgjegjësitë kombëtare, duke vënë theksin te nevoja për unitet dhe angazhim konkret. “Le të jetë ky 28 Nëntor një thirrje për unitet, vetëdije dhe veprim të vendosur, duke nderuar amanetin e të parëve tanë jo vetëm me fjalë, por me punë konkrete në shërbim të Kombit dhe të dinjitetit tonë. I pavdekshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve dhe i rilindasve tanë! Gëzuar 28 Nëntorin!”, ka përfunduar Sela.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *