Categories VENDI

Afrim Gashi uron shqiptarët për 28 Nëntorin: Të ruajmë identitetin dhe të ndërtojmë një të ardhme me dinjitet

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gashi ka vlerësuar rëndësinë historike të kësaj date për kombin shqiptar, duke theksuar se 28 Nëntori përfaqëson kujtesën historike, sakrificën dhe aspiratën shekullore për liri.

Ai ka theksuar se ruajtja e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar është një përgjegjësi që duhet përcjellë edhe te brezat e ardhshëm.

Në mesazhin e tij, Gashi është ndalur edhe te pozita e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar angazhimin për avancimin e barazisë, përfaqësimit të drejtë dhe forcimin e institucioneve demokratike.

“Jam i bindur se dashuria për kombin, ruajtja e identitetit dhe përkushtimi ndaj shtetit e shoqërisë ku jetojmë nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato plotësohen dhe marrin kuptim përmes respektit, barazisë dhe përgjegjësisë së përbashkët”, ka shkruar Gashi.

Në fund, ai ka uruar që 28 Nëntori të jetë jo vetëm ditë krenarie për trashëgiminë kombëtare, por edhe një zotim për ndërtimin e një të ardhmeje të dinjitetshme për të gjithë./tv21.tv/

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *