
Punimet për përfshirjen e familjeve në rrjetin e ujësjellësit që furnizohet nga Penda e Gllazhnjës po vazhdojnë në Komunën e Likovës, me synimin që ky shërbim jetik të bëhet i qasshëm për të gjithë banorët.
Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, ka bërë të ditur se gjatë vizitës në terren ka përcjellë ecurinë e punimeve së bashku me deputetin Rijad Shaqiri, drejtorin e NKP-së „Penda“, Ylber Neziri, si dhe drejtorin e NKP-së „Pisha“, Hamdi Sherifi.
Arifi ka theksuar se angazhimet do të vazhdojnë deri në përfshirjen e të gjitha familjeve në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm, duke vënë në dukje se ende ka amvisëri që presin të përfitojnë nga ky shërbim.
Me këtë rast, kryetari i komunës ka falënderuar ekipet punuese për angazhimin e tyre, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të punimeve deri në përmbushjen e këtij objektivi./JEHONA/








