
Maqedonia e Veriut po ndikohet nga një valë e nxehtë ajrore që vjen nga jugu, përkatësisht nga Afrika, duke sjellë rritje të ndjeshme të temperaturave në të gjithë vendin. Si pasojë, autoritetet kanë vendosur paralajmërim të verdhë për të gjithë territorin.
Gjatë ditës së sotme (e premte, 17 korrik), temperaturat maksimale pritet të lëvizin nga 30 deri në 38 gradë Celsius, ndërsa në Shkup pritet të arrijnë rreth 35 gradë.
Sipas parashikimeve, ditët më të nxehta do të jenë e shtuna dhe e diela, kur në disa rajone termometri mund të shënojë deri në 40 gradë Celsius.
Moti do të jetë kryesisht me diell, i shoqëruar me vranësira të pakta deri mesatare gjatë orëve të pasdites. Në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia për reshje të shkurtra shiu të shoqëruara me bubullima.
Era do të fryjë me intensitet të lehtë deri mesatar, kryesisht nga drejtimi verior dhe veriperëndimor.
Edhe në Shkup pritet mot me diell gjatë pjesës më të madhe të ditës, ndërsa pasditja mund të sjellë shtim të përkohshëm të vranësirave. Era do të vazhdojë të fryjë e lehtë deri mesatare nga veriu.








