
Interesimi i të rinjve për të punuar si mësimdhënës duket se po zbehet nga dita në ditë. Shumë institucione arsimore, posaçërisht shkollat periferike po përballen me mungesë të mësimdhënësve, qoftë të grupit klasor por edhe të atij lëndor. Një situatë e tillë vërehet edhe në shkollën periferike “Dituria” në fshatin Banjicë të Komunës së Çashkës, ku për shkak të mungesës së mësuesve të grupit klasor janë angazhuar dy studente të vitit të tretë të Fakultetit Pedagogjik. Sipas mësuesit Besmir Xhaferi, profesioni i mësuesit kërkon përkushtim, vëmendje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me nxënësit dhe prindërit, gjë që shpesh i largon të rinjtë nga ky profesion.
“Nuk dëshirojnë sepse do vëmendje, do përkushtim dhe tepër angazhim do një mësimdhënës, për të qenë një mësimdhënës jo veç fjalën që të bëhesh mësimdhënës që të marrësh një pagë. Do shumë vëmendje dhe shumë përkushtim, duhet të punosh në një trekëndësh, me prindër, nxënës”, tha Besmir Xhaferi, mësues.
Njëra nga studentet e angazhuara, Suela Kadriu, realizon mësimin në dy klasa të kombinuara, ku mësojnë gjithsej dhjetë nxënës. Ajo thotë se puna me fëmijët është sfiduese, por njëkohësisht shumë motivuese.
“I kam dy klasë të kombinuara, klasën e dytë dhe të katërt. I kam katër nxënës në klasën e katërt dhe gjashtë në klasën e dytë. Interesimi për momentin është shumë i mirë, nxënësit duan të mësojnë, të lexojnë. Kanë mësuar mirë leximin dhe shkrimin? Po, kanë mësuar shumë, dinë të lexojnë, shkruajnë, recitojnë vjersha. E kanë vëmendjen te mësimi dhe ndihem shumë krenare për këtë gjë”, theksoi, Suela Kadriu, studente.
Edhe studentja Ermira Xhemaili, e cila mban mësim në klasën e parë me njëmbëdhjetë nxënës, e përshkruan rolin e mësimdhënësit si një përvojë të veçantë dhe plot emocione.
“Cilën klasë e ke? Klasën e parë? Sa nxënës ke në klasë të parë? -11. Si ishte ndjenja e parë kur i more nxënësit dhe u paraqite para tyre. Ishte një emocion i madh, një ndjenjë e veçantë, një ndjenjë që nuk përshkruhet as me fjalë. Duhet të ketë përkushtim të madh, vëmendje dhe interesim, nëse dëshiron diçka do ta arrish me kalimin e kohës, me vëmendje, vetëbesim dhe përkushtim”, theksoi Ermira Xhemaili, studente.
Nxënësit e shkollës periferike “Dituria” në fshatin Banjicë të Komunës së Çashkës përballen edhe me mungesë të mësimdhënësve për gjuhën angleze dhe maqedonase si dhe mirëmbajtës të objektit. Shkolla funksionon me paralele të kombinuara dhe gjithsej ka 31 nxënës. Ndërkohë, njohësit e arsimit vlerësojnë se nevojiten politika dhe masa konkrete për ta bërë profesionin e mësuesit më tërheqës për gjeneratat e reja, në mënyrë që shkollat të mos përballen me mungesë kuadri në të ardhmen. / Alsat.mk








