
Të shtëna me armë zjarri pati mbrëmë në Bregun e Diellit.
Si shkak i të shtënave me armë zjarri i plagosur para dyerve të një lokali ka mbetur një person.
Viktimë në këtë rast është 25vjeçari, Harbin Vitia njohur ndryshe si “Plaku i Bregut”.
Me të marrë informatën në vendin e ngjarjes në rrugën “Ali Sokoli” dolën njësi të shumta policore që u morën nga afër me rastin.
I plagosuri në këtë rast veçse ishte dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gjendja shëndetësorë e të plagosurit raportohet të jetë e rëndë, ndërsa të dyshuarit në këtë rast kishin qenë të maskuar dhe kanë arritur që të largohen nga vendi i ngjarjes.
Me autorizim të Prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar si: “Vrasje e rëndë në tentativë”.
Ndryshe i plagosuri në këtë rast, “Plaku i Bregut” para pak kohëve kishte dalë nga burgu për një vepër penale.
Ai ishte i njohur për organet e hetuesisë dhe të drejtësisë që nga viti 2016.
Në korrik të vitit 2016, Harbin Vitija kishte gjuajtur me armë zjarri në festivalin e njohur “Beer Fest”, që po mbahej në sheshin “Nëna Tereza”. Më 16 gusht, Policia e Kosovës kishte arritur ta arrestonte Harbin Vitijën, atëkohë 15 vjeçar. Ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Edhe në vitin 2020, ai u përfshi në një rast tjetër kriminal, ku ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “posedim i paautorizuar i armës”.
Sipas aktakuzës së ngritur më 25 nëntor 2020, Harbin Vitija akuzohej se më 11 qershor 2020, rreth orës 21:30, në lokalin “Amarito” në rrugën “Rrahim Beqiri” në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje verbale me të dëmtuarin F.Z., në momentin që takohen rastësisht në lokal, dalin jashtë dhe aty i akuzuari e sulmon me armë të ftohtë (thikë), duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në fytyrë.
Më 10 dhjetor 2020, ai ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 5 vite burgim për vrasje në tentativë, si dhe 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Më pas rasti ishte kthyer në rigjykim, ndërsa më 7 qershor 2021, Vitija para trupit gjykues deklaroi: “Jo nuk e pranoj fajësinë”.
Në nëntor të vitit 2022, Policia e Kosovës, me urdhëresë të gjykatës, kishte arritur të arrestojë Harbin Vitijën, lidhur me rastin për të cilin ishte dënuar me burgim, dhe ai ishte dërguar në vuajtje të dënimit për “lëndim të rëndë trupor”.
Madje ai ishte i dyshuari kyç edhe për të shtënat me armë AK-47 që ishin raportuar më 13 qershor 2024. Të shtënat me kallshikov kishin ardhur një ditë pasi i njëjti kishte pasur një përplasje fizike me disa persona të dyshimtë.
Palët e përfshira në rast janë kërkuar nga Policia, ndërsa në vendin e ngjarjes ishin sekuestruar 19 gëzhoja, si dhe gjatë bastisjes ishin gjetur fishekë, jelekë ushtarak dhe substanca narkotike.
Një vit më pas, “Plaku” ishte viktimë e një sulmi me thikë në Burgun e Dubravës.
I burgosuri që dyshohet për tentim vrasje ishte Ruzhdi Hasani, rreth 25-vjeçar, ndërsa viktimë Harbin Vitija, rreth 24-vjeçar./Lajmi.net/








