Categories VENDI

Kur do të filloj ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë dhe sa do të kushtoj?!

Rishikimi i projektit për ndërtimin e pjesës së mbetur të autostradës që lidh Shkupin me kufirin e Kosovës ka përfunduar, duke i hapur rrugën vazhdimit të punimeve në këtë aks strategjik pas ndryshimeve teknike të kërkuara për të optimizuar koston dhe sigurinë.

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore e Maqedonisë së Veriut konfirmoi se trasa prej 10 kilometrash drejt pikës kufitare të Bllacës do të kërkojë një periudhë ndërtimi prej 48 muajsh sapo të përzgjidhet kontraktori, njofton Fokus.

Ky proces vjen pas një rritjeje dramatike të projeksioneve financiare. Ndërsa fillimisht e gjithë autostrada prej 12.5 kilometrash parashikohej të kushtonte rreth 110 milionë euro, të dhënat e fundit tregojnë se vetëm faza e dytë prej 10 kilometrash pritet të kushtojë rreth 187 milionë euro.

Deri më tani, për ndërtimin e vetëm dy kilometrave të parë janë shpenzuar 28 milionë euro, që do të thotë se kostoja për kilometër ka arritur shifrën rekord prej 14 milionë eurosh.

Kjo mospërputhje mes planeve fillestare dhe realitetit në terren ka nxitur rishikimin e projektit nga qeveria aktuale, e cila pretendon se trasa e vjetër ishte projektuar qëllimisht me kompleksitet të lartë malor për të fryrë çmimin e realizimit.

Financimi i projektit mbetet i varur nga një kombinim i huasë prej Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), granteve nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe buxhetit shtetëror për shpronësimet. Sipas planeve aktuale, nëse kontraktorët përzgjidhen brenda vitit 2026, autostrada mund të jetë plotësisht funksionale vetëm në vitin 2030, duke lënë deri atëherë udhëtarët të përballen me vonesa të mëdha te nyja e Momin Potokut dhe rrugët ekzistuese të mbingarkuara.(INA)

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *