
Këtë vit në Haxh dhe për vizitë në vendet e shenjta myslimane, nga vendi ynë, do të shkojnë mbi dy mijë besimtarë, që është numër identik me vitin e kaluar, deklaroi për MIA-n, Irsal Jakupi, sekretar i përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame.
“Numri është plotësuar sipas kuotës të cilën e caktoi Ministria e Haxhit në Arabinë Saudite dhe këtë vit do të ketë 2.020 besimtarë nga vendi, të cilët do të udhëtojnë drejt vendeve të shenjta, edhe pse ishin paraqitur më shumë. Numri është identik si edhe vitin e kaluar. Besimtarët do të udhëtojnë prej 14 deri më 21 maj, me fluturime çarter me aeroplan”, shtoi Jakupi.
Sa i përket moshës, sipas tij, këtë vit ata që udhëtojnë në haxh i takojnë gjeneratës më të re, ndërsa më i moshuari është një 75-vjeçar. Çmimi për aranzhim për Haxh është 6.700 euro, që është më i lartë për 250 euro në krahasim me vitin e kaluar.
Festa e madhe e Bajramit të Kurbanit, këtë vit bie më 27 maj. Haxhi shërben për t’u kujtuar myslimanëve se të gjithë janë të barabartë në sytë e Zotit – Allahut. Kjo është shtylla e pestë e Islamit dhe rikujton udhëtimin e profetit Muhamed në vitin 632. Synon t’i afrojë myslimanët e të gjitha kombësive, duke i pastruar ata nga mëkatet dhe duke i afruar ata me Zotin.








