
Borussia e Dortmundit ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në UEFA Champions League për sezonin e 11-të radhazi, pas një fitoreje bindëse 4-0 ndaj Freiburgut në Bundesligë.
Skuadra vendase e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte dhe zhbllokoi shifrat që në minutën e 8-të. Maximilian Beier përfitoi nga një pasim i gjatë i Ramy Bensebaini-t dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Presioni i Dortmundit vazhdoi dhe rezultati u dyfishua me një aksion të rrjedhshëm, ku Julian Brandt asistoi për Serhou Guirassy, i cili shënoi nga afërsia për 2-0. Para pushimit, vendasit thelluan avantazhin, kur sërish Bensebaini shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi, duke e mbyllur praktikisht ndeshjen.
Në pjesën e dytë, Freiburg provoi të reagonte dhe gjeti një gol me Lukas Kübler, por ai u anulua për pozicion jashtë loje pas ndërhyrjes së VAR-it. Miqtë nuk arritën të krijonin rrezik të qëndrueshëm, ndërsa Dortmundi menaxhoi qetësisht avantazhin.
Në fund, skuadra e drejtuar nga Niko Kovač vulosi fitoren me golin e katërt të shënuar nga Fábio Silva, duke e kthyer rezultatin në një 4-0 të pastër.
Me këtë sukses, Dortmund siguron edhe një herë vendin në elitën e futbollit evropian, ndërsa Freiburgu sheh t’i komplikohet gara për objektivat europianë, megjithëse ende ka shpresa përmes UEFA Europa League.








