
Zëvendëssekretari i Qeverisë nga VLEN, Hasim Murtezani, ka reaguar ndaj akuzave të BDI, duke i cilësuar si propagandë pretendimet se VLEN është “zëdhënës i VMRO-së”.
Në një postim publik, Murtezani ka rikujtuar se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë bashkëqeverisjes me Nikola Gruevski, ka dalë në mbrojtje të tij në disa raste.
“Po ju rikujtojmë vetëm një nga dhjetra prononcimet e liderit të BDI-së duke e mbrojtur dhe duke u shndërruar në ‘avokat’ të partnerit të tij të koalicionit, Nikolla Gruevski, me të cilin ka qeverisur 11 vite në pushtet”, ka shkruar Murtezani.
Ai shton se pikërisht kjo përbën shembullin më të qartë të asaj që, sipas tij, nënkupton të jesh “zëdhënës” i një figure politike, duke akuzuar BDI-në për standarde të dyfishta në diskursin politik./aktuale.mk/








