
Hapësirat në katin e dytë, të cilat dikur i përdorte reparti i gjinekologjisë, tani janë adaptuar dhe pajisur për nevojat e repartit të fëmijëve.
Mjetet për renovimin dhe pajisjen janë siguruar nga Rotary Klub Kumanovë me mbështetje nga Rotarakt Klub dhe Iner Vill Klub Kumanovë.
“Donacioni përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përfshin pajisje mjekësore si aspiratorë, aparat EKG digjital, inhalatorë, termometra, peshoja – gjithçka që është e domosdoshme për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për fëmijët që trajtohen në repartin e fëmijëve. Pjesa e dytë e donacionit i referohet renovimit të pjesës së zgjeruar ambulatore, ish-hapësirat e kiretazhave, me ç’rast kemi fituar dy ambulanca të reja të pajisura me inventar dhe pajisje të reja, si dhe një spital të ri ditor”, deklaroi shefja e repartit, dr. Margica Arsovska, e cila falënderoi donatorët dhe drejtuesit e spitalit për kontributin në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për pacientët dhe kushteve të punës për personelin.
Përveç Rotary Kumanovë, ndihmuan edhe disa kompani socialisht përgjegjëse dhe persona fizikë.
“Kjo është me rëndësi të madhe për spitalin, sepse e ndamë spitalin stacionar të repartit të fëmijëve nga spitali ditor. Kjo është e dobishme për organizimin e punës së të punësuarve tanë dhe mbi të gjitha për pacientët”, deklaroi Sasho Stoshevski, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm Kumanovë.
Ai theksoi se merita të veçanta për krijimin e spitalit ditor kanë të punësuarit e repartit të fëmijëve, të cilët çdo ditë sigurojnë ndihmë dhe kujdes shëndetësor për pacientët më të vegjël.
Përfaqësuesja e Rotary Klub Kumanovë, Frosina Efremovska, tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm sepse sjell ndryshime të qëndrueshme në komunitet dhe se ata do të vazhdojnë të punojnë në projekte të tilla dhe të ngjashme humanitare.








