Categories VENDI

Mickoski: Pa garanci nuk më shkon ndërmend të mendoj për ndryshime kushtetuese

Pa garanci, nuk më shkon ndërmend të mendoj për ndryshime kushtetuese. Pozita jonë është e qartë, ne nuk i injorojmë detyrimet që qeveria e mëparshme e LSDM-së pranoi, për fat të keq, por gjithashtu nuk shohim që fqinji ynë lindor po bën diçka për të përmbushur detyrimet e tij. Presim veprime më të fuqishme nga BE-ja dhe fqinji ynë lindor, gjegjësisht partneri i tyre brenda familjes evropiane, sepse e kemi parë në të kaluarën shumë herë – kur gjithçka dëshirohej, gjithçka ishte e mundur”, potencoi sot kryeministri Hristijan Mickoski.

Ai tha se për të ekzistojnë vetëm linjat e kuqe të Maqedonisë, si dhe për rezolutën e LSDM-së do të japë deklaratë pas zgjedhjeve lokale.

“Së dyti, çfarë ndodh me maqedonasit nga ana tjetër e atij kufiri? Çfarë ndodh me ta? A do të heqim dorë gjithmonë si qeveri nga populli maqedonas në vendet fqinje dhe kudo në botë? Unë këtë nuk do ta bëj. Asnjëherë. Dhe duhet vetëm thjesht të zbatohen aktgjykimet nga Strasburgu, asgjë më shumë nuk duhet të bëjnë. Kjo është e drejtë ndërkombëtare, Bullgaria është nënshkruese e atyre konventave. Vetëm duhet të zbatojnë atë që ka vendosur Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg e cila është një vlerë themelore evropiane. Që OMO Ilinden – Pirin të mund të funksionojë si shoqatë e maqedonasve në Bullgari. Dhe me këtë OMO Ilinden – Pirin do të fitojë të drejtën të paraqesë përfaqësues të vetin në Këshillin ministror për pakicat në Bullgari, ashtu siç kanë hebrenjtë, armenët, turqit, romët etj. E meritojnë maqedonasit të cilët, sipas regjistrimit të vitit 1956 ishin shumicë në Bullgarinë Perëndimore, ndërsa në vitin 1965 në mënyrë magjike 200 mijë zhduken, që në regjistrimin vijues të kenë përfaqësues të vetin atje. Dhe qëndrimi i qartë ndaj Rezolutës së korrikut të vitit 2022 e cila u votua në Parlament me 95 vota. Asgjë tjetër nuk kërkojmë. Kjo është ajo që kërkojmë. Këto janë të gjitha fakte. Kur të shohim gatishmëri nga pala tjetër, edhe ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë. Ndërsa për këtë Rezolutë, ato pak gjëra që kemi për të thënë do t’i themi pas zgjedhjeve”, nënvizoi kryeministri.

LEXO MË SHUMË

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *