
Shpallja publike e Ministrisë së Punëve të Brendshme për furnizimin e uniformave të reja të policisë vetëm në gjuhën maqedonase, ka ringjallur debatin për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, me të cilin urdhërohet që uniformat policore krahas maqedonishtes të jenë edhe në shqip.
Pavarësisht se ligji është i qartë, institucionet ndër vite nuk e kanë respektuar. BDI që sot sulmon ashpër për mosrespektim të dygjuhësisë në uniforma, gjatë qeverisjes së tyre me LSDM-në miratuan një dekret i cili parashikonte që prej vitit 2023 policia të mbante dhe logon në dy gjuhë.
Asokohe, Artan Grubi si personazh me pozitën më të lartë në piramidën hierarkike të Qeverisë, u kujdes që t’i jepte vëmendje të veçantë zbatimit të Dekretit për uniformat dygjuhëshe. Duke shpërndarë disa fotografi të uniformave policore dhe brendimin e disa veturave, Grubi, misionin e quajti të kryer me sukses.
Fotografitë e njëjta, por duke shtuar dhe disa simbole policore dygjuhëshe i shpërndau edhe zëvendësministri Nazim Bushi. Për t’i dhënë kredibilitet dhe seriozitet njoftimit se tashmë ka hyrë dekreti në fuqi, Bushi krahas uniformave, vendos edhe një fotografi të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Oliver Spasovski. Bushi, do të vazhdonte të përdorte logon policore dygjuhëshe edhe në muajt në vazhdim, duke theksuar se po zbatohet dekreti.
Por, në gusht të po atij viti, Bushi në Facebookun e tij shpërndau një konkurs për punësimin e 600 policëve. Policët që po shihni në fotografi, janë të uniformuar vetëm në maqedonisht, por Bushi në këtë rast është kujdesur që me kompjuter apo Photoshop vendos mbi fotografinë logon policore që krahas maqedonishtes është edhe në shqip dhe anglisht.
Më 1 dhjetor të vitit 2023, Bushi me Spasovskin shkojnë për vizitë në Sektorin për Punë të Brendshme të Shkupit. Pavarësisht se dekreti ishte në fuqi, aty u pritën nga zyrtari i uniformuar vetëm në maqedonisht, ashtu siç ishte dhe flamuri policor mbi tavolinën e punës.
Rasti më eklatant i mosrespektimit të këtij dekreti është ai i 27 prillit të vitit 2024, kur u promovuan 508 policë të rinj. Në ngjarje, ishte i pranishëm edhe kryeministri teknik Talat Xhaferi, i cili mbante epitetin epik të kryeministrit të parë shqiptar. Siç mund të shihni në fotografitë e promovimit, policët janë të veshur me uniforma vetëm në maqedonisht dhe nuk ka asnjë uniformë dygjuhëshe.
Ribrendimi i uniformave blu me logo dygjuhëshe, mbase ishte vetëm një dëshirë, por që mbeti vetëm mburrje dhe lëvdatë, për diçka që nuk u realizua asnjëherë në tërësi. /Alsat.mk








