
Ministria e Ambientit ka nënshkruar një kontratë vetëm për mirëmbajtje të përkohshme të deponisë ekzistuese, edhe pse këtë shërbim deri më tani e ka kryer me përgjegjësi ndërmarrja komunale NKP “Pisha”. Ky veprim nuk përputhet me premtimet e dhëna ndaj banorëve dhe nuk ofron asnjë zgjidhje afatgjatë. Kështu ka reaguar në profilin e tij në Facebook, Zekirja Shaini, kryetar i Këshillit të Komunës së Likovës, ndërsa ka përgënjeshtruar deklaratat e sotme të zëvendëskryeministrave Izet Mexhiti dhe Arben Fetai se “deponia në Nakushtak po mbyllet”.
Shaini, duke publikuar një dokument, sqaron se bëhet fjalë për një marrëveshje për rreth 80.000 euro midis Ministrisë së Ambientit dhe kompanisë “Lux Inxhiniering” nga Shkupi për mirëmbajtje të deponisë që, siç shkruan Shaini, këtë punë e ka bërë deri sot ndërnarrja komunale e Likovës – “Pisha”.
Reagimi i plotë i kryetarit të Këshillit të Komunës së Likovës, Zekirja Shaini:
Pushteti qendror kishte dhënë premtim të qartë për mbylljen përfundimtare të deponisë në fshatin Nakushtak dhe dislokimin e saj në komunën e Sveti Nikollës, ku është planifikuar ndërtimi i një objekti rajonal për riciklimin e mbeturinave.
Komuna e Likovës, nga ky projekt i cili realizohet përmes nivel qendror, e që ka filluar me realizim që nga koha kur me Ministrinë, ka udhëhequr z. Naser Nuredini, më veç ka përfituar 3 (tre) kamionë, mijëra kontenjer të llojeve të ndryshme, edhe që atëherë ka mbet aktiviteti i fundit ai që deponia në Nikushtak, të mbyllet parcialisht dhe të mbetet vetëm si pikë e vogël grumbullimi, ndërsa mbeturinat të dërgohen në Kumanovë e nga atje tek fabrika speciale në Sveti Nikollë, me çka njëherë e përgjithmon ky problem do të zgjidhet.Prej kësaj qeverie as një lëvizje nuk është bërë, vetëm shpifje dhe stagnim.
Gjithashtu, është e dhimbshme edhe deklarata dezinformuese e zv.Kryeministrit, z. Arben Fetau, i cili tha se deponia në f. Nikushtak definitivisht u mbyll njëher e përgjithmon, e kjo d.m.th. , se ai ose nuk është konsultu fare me bashkëpartiakët e tij, se çfarë aktivitete po fillojn ose më shumë ngjan e vazhdon avazin e vjetër atë të gënjeshtrave, e të cilat tek banorët e Likovës nuk kalojnë.
Ky projekt ishte paraqitur si masë e qëndrueshme për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e komunitetit.
Por, çfarë ka ndodhur realisht? Ministria e Ambientit ka nënshkruar një kontratë vetëm për mirëmbajtje të përkohshme të deponisë ekzistuese, edhe pse këtë shërbim deri më tani e ka kryer me përgjegjësi ndërmarrja komunale NKP “Pisha”. Ky veprim nuk përputhet me premtimet e dhëna ndaj banorëve dhe nuk ofron asnjë zgjidhje afatgjatë.
Ne, si komunitet, kërkojmë nga institucionet qendrore: Të mbajnë fjalën e dhënë dhe të zbatojnë planin e shpallur për mbyllje definitive të deponisë në Nikushtak.
Të sigurojnë zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme, duke e orientuar menaxhimin e mbeturinave drejt standardeve rajonale të riciklimit.
Të mbrojnë mjedisin dhe shëndetin publik, si një të drejtë themelore e banorëve të Likovës.
Banorët e Likovës meritojnë të jetojnë në një ambient të pastër, të sigurt dhe të shëndetshëm. Kjo nuk mund të kufizohet në masa gjashtëmujore — duhet një angazhim i përhershëm, i bazuar në vizion të qartë dhe përgjegjësi institucionale. Likova thërret për veprim të menjëhershëm!








