
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Kam folur me drejtorin, Pablo (Ortells), dhe me trajnerin (Jagoba Arrasate), dhe ata kanë shumë besim tek unë. Më kanë treguar shumë për projektin që ka Mallorca dhe kur klubi më thirri, desha të vija sa më shpejt të ishte e mundur.” Kështu rrëfen Marash Kumbulla, qendërmbrojtës shqiptar i ditëlindjes 2000, i cili lë përkohësisht Romën për t’u transferuar te Mallorca me formë huazimi të thjeshtë. Ky është një “rikthim” për lojtarin, i cili sezonin e kaluar kishte luajtur në LaLiga, por si i huazuar te Espanyol-i.
Gjatë prezantimit te klubi i ri, Kumbulla shpjegoi objektivat e tij: “Dua të luaj sa më shumë ndeshje të jetë e mundur dhe të ndihmoj skuadrën të arrijë maksimumin. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Me trajnerin kemi folur për atë që ai kërkon, për klubin, tifozët dhe gjithçka që përfaqëson Mallorca. Më pëlqeu shumë.”
Te Mallorca, Kumbulla do të takojë edhe një njohje të vjetër nga Serie A: “Me Vedatin (Muriqi) kemi folur kur e takova këtu, tek Espanyol-i. Kam një marrëdhënie të mirë me të dhe dua ta shoh përsëri së shpejti”, zbuloi ai. Në fund, dërgoi një mesazh për tifozët: “Faleminderit për mikpritjen. Do të jap gjithçka për këtë stemë dhe dua të luaj këtu, te Mallorca, së bashku me ju.”
Komunikata zyrtare
“Marash Kumbulla është lojtar i ri i RCD Mallorca-s. Mbrojtësi 25-vjeçar, vjen me huazim deri në fund të sezonit nga AS Roma. Kumbulla ka shtetësi shqiptare dhe është pjesë e kombëtares së Shqipërisë, me të cilën ka luajtur 24 ndeshje. Ky transferim e bën lojtarin e parë shqiptar që luan për klubin. Sezonin e kaluar, Kumbulla kishte luajtur me huazim te RCD Espanyol, ku zhvilloi 36 ndeshje mes LaLiga-s dhe Copa del Rey. Më parë, ai ka luajtur edhe në klube italiane si Hellas Verona dhe Sassuolo. Mirë se erdhe, Marash!”









