
Ende nuk është përfunduar lista e bankave që do të japin kreditë me paratë nga huamarrja hungareze. Qeveria pret që në ditët e ardhshme 250 milionë euro të jenë në dispozicion për kompanitë. Kompanitë do të mbulojnë vetë interesin prej 1,95%, ndërsa interesi prej 3,25% që duhet të paguhet për Hungarinë, do të mbulohet nga shteti. Kushtet për kreditimin deri tani nuk janë specifikuar.
„Kompanitë duhet të përgatisin projekte të mira, të qëndrueshme, një plan të mirë biznesi. E gjithë kjo është vërtet atraktive“.
Këtë thirrje sot (25 nëntor) e bëri Kryeministri Hristijan Mickoski për kompanitë që planifikojnë të aplikojnë për kredi që do t’u paguhet nga paratë që shteti i merr si kredi nga Hungaria.
Huaja hungareze është me shumë totale prej 500 milionë euro – gjysma e asaj vlere do t’u jepet komunave për projekte, ndërsa 250 milionë të tjerët qeveria ka vendosur t’i drejtojë te kompanitë.
Përveç paralajmërimeve se përgatitjet do të përfundojnë këto ditë, nuk ka një datë konkrete nga e cila kompanitë mund të aplikojnë zyrtarisht me projekte dhe të marrin paratë në llogaritë e tyre. Qeveria pret që kjo të ndodhë deri në fund të kësaj jave.
„Qeveria pret që shumica e bankave të mbështesin projektin dhe në fund 250 milionë eurot nga huaja hungareze, pas përfundimit të procedurës, të jenë në dispozicion të bizneseve deri në fund të kësaj jave“, thanë nga Qeveria për Radio Evropa e Lirë (REL).
Cilat kompani dhe për çfarë mund të aplikojnë?
Zyrtarisht, kriteret për kompanitë që mund të marrin kredi nga paratë hungareze nuk janë publikuar. Ajo që dihet në publik, kryesisht vjen nga deklaratat e përfaqësuesve të Qeverisë.
Kështu, sipas deklaratave të sotme të Kryeministrit Mickoski, çdo kompani do të mund të aplikojë, pavarësisht nëse është mikro, e vogël, e mesme apo e madhe.
Do të mund të aplikojnë kompani që do të „investojnë në mjete pune“, që një pjesë e ekonomistëve e interpretojnë si, për shembull, blerjen e mekanizmit, por edhe ato që do të vendosin të investojnë në burime të rinovueshme të energjisë.
„Po ashtu, edhe ato që do të investojnë në hapësira administrative për nevojat e tyre. Jo për t’i investuar dhe pastaj t’i rishesin, por për hapësira zyrash, hapësira administrative për nevojat e tyre, në suaza të veprimtarisë së prodhimit dhe të ngjashme“, tha Mickoski.
Pikërisht pjesa që ka të bëjë me mungesën e një pamjeje të qartë për kriteret ka shkaktuar dilema të mëdha në publik dhe mes ekonomistëve.
Bllagica Petreski nga Instituti për Hulumtime Ekonomike dhe Politika „Finance Think“ për REL theksoi se nga ajo se kush dhe për çfarë do të shpenzohen paratë, do të varet edhe efekti i vetë huasë hungareze.
„Aktualisht, në diskutim mungon shpjegimi se çfarë do të jetë qëllimi, kush do të jetë targeti i kompanive, mund të diskutojmë edhe për faktin nëse do të kemi zona të caktuara që do të synohen, me qëllim për të nxitur zhvillimin e tyre, nëse do të thotë investim i ri në teknologji apo investim i ri në aktivitetin ndërtimor, kështu që të gjitha këto janë aspekte që do të ndikojnë shumë në efektin që do të ketë kredia e marrë dhe se në çfarë mënyre ato do të japin nxitje për ekonominë totale, për eksportin dhe për ciklin e investimeve“, tha Petreski për REL, përcjell PressOnline.al
Një kompani do të mund të marrë deri në 8 milionë euro – kush do të paguajë interesin?
Ajo që është e qartë është se përmes huasë hungareze do të financohen projekte deri në 10 milionë euro. Kushti që qeveria dhe bankat kanë rënë dakord është që kompanitë të kenë të paktën 20% pjesëmarrje në projekt.
Kjo do të thotë që, nëse një kompani ka një projekt prej 10 milionë euro, ajo duhet të ketë tashmë 2 milionë, ndërsa si kredi mund të marrë maksimumi 8 milionë euro.
Interesi që do të paguajnë kompanitë do të jetë 1,95%, do të kenë një periudhë grejs prej tre vitesh dhe afat shlyerjeje deri në 15 vjet. Interesi do të jetë fiks, pavarësisht periudhës së shlyerjes dhe do të jetë, për shembull, nëse kredia është 8 milionë euro, atëherë interesi do të jetë 160 mijë euro.
Ajo që sektori i biznesit e thekson si të rëndësishme është se afati i shlyerjes do të jetë deri në 15 vjet, që do të thotë se mund të jetë edhe për një periudhë më të shkurtër, që, siç theksojnë ekspertët financiarë, është e rëndësishme sepse, për shembull, në rast se do të blihen makineri, nuk do të ishte e përshtatshme që ajo të shlyhet për 15 vjet, ndërkohë që mund të humbasë vlerën për shtatë ose tetë vjet.
Edhe Mickoski theksoi sot se kjo është një nga ndryshimet më të rëndësishme, pasi ka pasur kompani që kanë kërkuar një afat më të shkurtër shlyerjeje.
Banka Zhvillimore po e pret udhëzimin nga Qeveria
Paratë e destinuara për kompanitë, qeveria do t’i transferojë në Bankën Zhvillimore të shtetit, dhe përmes saj ato do të shpërndahen te bankat komerciale, të cilat do t’ua japin kreditë kompanive. Interesi prej 1,95% do të paguhet nga kompanitë te bankat komerciale për rrezikun që ato po e marrin.
Megjithatë, deri tani jo të gjitha bankat kanë rënë dakord të marrin pjesë në këtë projekt.
Pse disa banka nuk kanë rënë dakord deri tani, pyetëm edhe në Shoqatën e Bankave të Maqedonisë, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk morëm përgjigje.
Petreski nga Finance Think thekson se ende mungojnë informacione dhe detaje, por logjika është që nëse do të bien dakord apo jo, varet edhe nga portofolet e vetë bankave. Siç thotë, disa janë më të gatshme për të marrë rrezik, të tjerat jo, dhe mendojnë se interesi prej 1,95% nuk do ta mbulojë rrezikun që po e marrin.
Nga ana tjetër, Banka Zhvillimore, përmes së cilës do të kalojnë paratë, po pret udhëzime nga Qeveria.
„Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për realizimin e një projekt/programi të Qeverisë, kriteret për realizimin e linjave të kredisë, ashtu siç ka ndodhur deri tani, përcaktohen nga Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave. Në varësi të koordinatës përfundimtare të Qeverisë dhe sektorit bankar për realizimin e huasë hungareze, Banka Zhvillimore do të veprojë në përputhje me kompetencat e saj“, thonë nga Banka Zhvillimore për REL, përcjell PressOnline.al
Ata theksojnë se kanë kapacitet për kredi përmes bankave komerciale, duke shtuar se deri tani janë plasuar më shumë se 700 milionë euro në këtë mënyrë.
Shteti do të paguajë interesin për Hungarinë prej 3,25%
Interesi prej 1,95% për të cilin u morrën vesh Qeveria dhe disa banka për kreditë për kompanitë është vetëm pjesa më e vogël që duhet të paguhet.
Për huan totale prej 500 milionë euro (250 për komunat, 250 për kompanitë), Hungarisë do t’i duhet të paguhet interes prej 3,25%. Kjo pjesë do të paguhet nga shteti dhe sipas marrëveshjes, huaja ndaj Budapestit duhet të kthehet brenda një periudhe 15 vjeçare, duke përfshirë një grejs periudhë prej tre vitesh. Megjithatë, disa ekonomistë mendojnë se ky aspekt nuk është problematik, pasi kompanitë tashmë kanë përfituar ndihmë shtetërore, siç ishin për shembull subvencionet për pagën minimale.
Kredia, sipas ligjit të miratuar në Kuvend, do të paguhet në këste dy herë në vit. Një këst do të paguhet më 15 shkurt, dhe tjetri më 15 gusht.
Nëse bëhen llogaritje të thjeshta sipas të dhënave të disponueshme, kjo do të thotë se gjatë grejs periudhës në tre vitet e para, shteti do të duhet të paguajë vetëm për interesin afërsisht 49 milionë euro për Bankën Hungareze të Eksport-Importit. Në periudhën e përgjithshme prej 15 vjetësh të shlyerjes, interesi total që shteti do të paguajë, jozyrtarisht, do të ishte pak më pak se 157 milionë euro. Megjithatë, llogaritjet e sakta do të bëhen më vonë.
Këtë kredi, Kryeministri Hristijan Mickoski e ka negociuar me kryeministrin hungarez Viktor Orban në suaza të Samitit të NATO-s në Uashington në korrik të këtij viti.
Opozita, nga ana tjetër, që në fillim kritikoi qeverinë se nuk ka kritere të qarta për mënyrën se si do të shpërndahen paratë e huazuara, as një sistem të përcaktuar për kontrollin e shpenzimit të parave, por gjithashtu pyet se cili do të jetë çmimi politik që shteti do të paguajë.
Për këtë kredi, deputetët në Kuvend më 17 shtator miratuan një ligj të veçantë, pas të cilit më 8 tetor në Budapest u nënshkrua marrëveshja midis ministres për financa, Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe përfaqësuesve të Bankës Hungareze të Eksport-Importit.(PressOnline.al)








