
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj emërimit të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Maqedonisë së Veriut (RTVM), duke e cilësuar atë si të kundërligjshëm dhe si vazhdim të, siç thotë, kapjes politike të servisit publik nga koalicioni qeverisës VMRO-VLEN. Në një komunikatë për media, BDI vlerëson se procesi i politizimit të RTVM-së po cenon karakterin publik, profesional dhe multietnik të institucionit. “Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër vazhdimin e kapjes politike të Radio Televizionit të Maqedonisë së Veriut nga koalicioni VMRO-VLEN, proces që po shkatërron karakterin publik, profesional dhe multietnik të këtij institucioni”, thuhet në reagim. Sipas BDI-së, kulmi i këtij procesi është emërimi i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, për të cilin pretendon se nuk i plotëson kushtet ligjore dhe kriteret e konkursit.
“Skandali kulmoi dje me emërimin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, një person që nuk i plotëson kushtet ligjore dhe kriteret e përcaktuara në konkurs. Ritheksojmë se bëhet fjalë për një emërim të kundërligjshëm, i cili duhet të hetohet urgjentisht nga institucionet kompetente”, thekson BDI. Partia opozitare shton se për pozita në administratën publike kërkohet arsim i lartë dhe përvojë pune e fituar pas përfundimit të studimeve, ndërsa pretendon se në këtë rast këto kritere nuk janë respektuar.
“Për një vend pune bashkëpunëtor, këshilltar e të tjerë në administratën publike, nevojitet shkollim i lartë dhe përvojë pune pas kryerjes së shkollimit përkatës. Ndërkaq, për t’i kënaqur orekset e partnerëve brenda VLEN-it, Këshilli Programor i RTVM-së në krye të servisit publik emëron një person që nuk ka kualifikime të duhura as për pozitën bashkëpunëtor në administratën publike. Ndoshta ky është përfaqësimi i drejtë dhe meritokracia që trumbeton VLEN-i”, thuhet në komunikatë. BDI e konsideron shqetësues edhe faktin që, sipas saj, në një funksion të lartë drejtues në servisin publik është emëruar një person pa përvojë në gazetari.
“Është alarmante dhe njëkohësisht fyese për profesionin që në krye të një institucioni mediatik publik emërohet një person pa asnjë ditë përvojë pune në gazetari. Ky është degradim i standardeve profesionale, nënçmim i qindra gazetarëve dhe punonjësve me përvojë shumëvjeçare në RTVM dhe dëshmi se kriteri i vetëm për emërim është lojaliteti politik ndaj VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it”, vlerëson partia. Në reagim, BDI akuzon edhe koalicionin VLEN se, sipas saj, nuk po mbron interesat e shqiptarëve në RTVM. “Që nga dita e parë e ardhjes në pushtet, VLEN ka dëshmuar se nuk përfaqëson interesat e shqiptarëve, por interesat e VMRO-së. Tashmë punonjësit shqiptarë në RTVM janë lënë pa asnjë mbështetje institucionale, ndërsa individët e emëruar në kundërshtim me ligjin janë shndërruar në zbatues të verbër të politikave partiake, duke e kthyer servisin publik në instrument të propagandës qeveritare”, thuhet në komunikatë.
BDI i bën thirrje Prokurorisë Publike dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që të nisin hetim për rastin dhe të verifikojnë përgjegjësinë penale dhe administrative të të gjithë personave të përfshirë në proces. Po ashtu, partia u bën thirrje Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë, OSBE-së, Delegacionit të Këshillit të Evropës, si dhe organizatave të tjera vendore dhe ndërkombëtare që merren me lirinë e medias dhe sundimin e ligjit, të reagojnë ndaj, siç e cilëson, politizimit të RTVM-së.
“Kapja e servisit publik, shkelja e ligjit, eliminimi i shqiptarëve nga pozitat drejtuese dhe degradimi i standardeve profesionale nuk janë vetëm problem i një institucioni. Ato janë sulm ndaj demokracisë, pluralizmit dhe karakterit multietnik të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e BDI-së. Në fund, partia thekson se do të vazhdojë të kundërshtojë këtë proces përmes mekanizmave demokratikë dhe institucionalë.








