
Komuna e Çairit, në bashkëpunim me Universitetin “Nënë Tereza”, do të organizojë Shkollën Verore të Notit për fëmijët e moshës nga 5 deri në 10 vjeç.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi se projekti është rezultat i takimit të zhvilluar me delegacionin e Universitetit “Nënë Tereza”, në kuadër të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit”.
Mësimet e notit do të jenë falas dhe do të zhvillohen në pishinën e Çairit. Programi do të udhëhiqet nga profesorë dhe asistentë të Fakultetit të Kulturës Fizike pranë Universitetit “Nënë Tereza”, me qëllim që fëmijëve t’u ofrohen kushte profesionale dhe të sigurta.
Gjatë takimit është diskutuar edhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet komunës dhe universitetit në projekte të tjera që lidhen me shëndetësinë, sportin dhe arsimin.
Po ashtu, është shqyrtuar ecuria e investimit për kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza”, punimet e të cilit, sipas njoftimit, po zhvillohen sipas planit.
Mexhiti theksoi se Komuna e Çairit do të vazhdojë të ndërtojë partneritete me institucionet arsimore dhe të mbështesë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin, mirëqenien dhe të ardhmen e brezave të rinj.








