
Zyra e Avokatit të Popullit ngre shqetësimin për gjendjen alarmante me rastet e abuzimit seksual të fëmijëve në Maqedoni. Statistikat janë tronditëse. Sipas analizës, prej vitit 2020 deri në fund të vitit 2025 institucionet kanë regjistruar 604 raste të abuzimit seksual të fëmijëve, ndërsa shumica e viktimave janë të gjinisë femërore. Pjesa më e madhe e rasteve kanë të bëjnë me vepra të rënda penale si përdhunim i fëmijës nën 18-vjeç, sulm gjinor dhe përdhunim dhe jetesë jashtëmartesore të personave të rritur me fëmijë.
“Mbi 57% e viktimave janë fëmijë në moshë prej 11 deri në 15-vjeç. Rreth 90% e viktimave janë vajza, ndërsa sipas përkatësisë etnike të viktimave numri më i madh janë maqedonas, ndërsa të dytë janë fëmijët romë mbi 28% prej viktimave, që tregon edhe lidhjen mes abuzimit seksual dhe faktorët varfëri, përjashtim social dhe qasje e kufizuar në mbrojtjen institucionale. Për fat të keq janë evidentuar raste të abuzimit seksual edhe te fëmijët ndër 10-vjeç, përfshirë dhe një fëmijë të moshës deri në moshën 3-vjeçare”, tha Vaska Bajramovska Mustafa, Këshilltare Shtetërore në Zyrën e Avokatit të Popullit .
Situata bëhet edhe më shqetësuese duke e pasur parasysh se viktimat nuk kanë besim në institucionet të cilat, edhe ashtu veprojnë në mënyrë të pakoordinuar dhe në mungesë të kapaciteteve profesionale. “Analiza tregon për ekzistencën e stigmatizimit, frikës dhe mosbesimit te viktimat dhe familjet e tyre, të cilat shpesh refuzojnë të bashkëpunojnë për shkak turpit. Heshtja e viktimave urdhëron në domosdoshmërinë për numër më të madh të mekanizmave të besueshme për paraqitjen e rasteve të këtilla. Përveç kësaj, analiza tregon në dobësi serioze në veprimin e institucioneve. Në fakt, kur rastet do të arrijnë tek institucionet, sistemi shpesh reagon në mënyrë të fragmentuar, pa koordinim të mjaftueshëm dhe pa qasje të përshtatur ndaj fëmijës”, tha Bajramovska Mustafa. (alsat-m)








