
Ekipi i Forcave të Sigurisë së Kosovës ka nisur në misionin e Gazës.
Gjatë kësaj vizite ekipi do të bëjë vlerësimin paraprak si dhe koordinimin e aktiviteteve të dislokimit për kontingjentin e FSK-së. Misioni zhvillohet në kuadër të misionit të trupave paqeruajtëse të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza, një marrëveshje e Bordit të Paqes ku bën pjesë edhe Kosova.
“Gjatë kësaj vizite, delegacioni ka zhvilluar një sërë takimesh dhe diskutimesh me autoritete nacionale për administrimin e Gazës dhe ekipet përkatëse, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMÇ), e cila operon nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes, në përputhje me Rezolutën 2803 të OKB-së. Gjatë këtyre takimeve është diskutuar rreth procesit të integrimit të kontingjentit të FSK-së, zhvillimit të operacioneve të përbashkëta, si dhe koordinimit të mbështetjes logjistike”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Më 20 prill, Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, autorizoi dërgimin e FSK në operacionin ndërkombëtar. Gjithashtu, edhe Kuvendi i Kosovës votoi pro misionit paqeruajtës.
Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të ketë për detyrë stabilizimin e situatës së sigurisë në Gazë, pas luftës që nisi në tetor të vitit 2023, kur Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje.
Sulmet pasuese izraelite në Gazë shkaktuan dhjetëra mijëra viktima, krizë humanitare dhe dëme të mëdha materiale.
Plani për krijimin e kësaj force është pjesë e një pakoje më të gjerë për arritjen e paqes, e cila është pranuar nga palët në konflikt.








