
Disa mijëra persona prej vitesh punojnë në mënyrë jolegale në sektorin e gastronomisë dhe bujqësisë. Veçanërisht alarmante është situata në bujqësi, ku ky numër arrin rreth 80.000 persona. Nga Qendra për Hulumtim dhe Krijim të Politikave puna e paparaqitur është rezultat i mosfunksionimit të institucioneve dhe mungesës së kornizës ligjore adekuate.
“Problemin më të madh e kemi vërejtur në bujqësi, ku anketa për fuqinë punëtore evidenton 80.000 persona, që janë jashtë sistemit të mbrojtjes dhe të punës së paraqitur. Vetëm 8.000 prej tyre, respektivisht vetëm 10%, janë të paraqitur si punëtorë sezonalë,” tha Marija Risteska, Qendra për Hulumtim dhe Krijim Politikash.
Me ligjin e ri për angazhimin në punë, i cili hyri në fuqi më 1 janar, gjendja mund të përmirësohet dhe me këtë të zbutet problemi i mungesës së fuqisë punëtore, me të cilin përballen më së shumti gastronomët. Për këtë arsye ata janë të detyruar të sjellin punëtorë nga Nepali ose Filipinet ose të punësojnë kuadër të papërshtatshëm.
“E dimë se një numër i madh i punëtorëve që punojnë në gastronomi, janë të paparaqitur dhe punojnë në të ashtuquajturën zonë gri, dhe e njëjta gjë ndodh edhe në bujqësi. Me këtë ligj ata fitojnë edhe sigurim shëndetësor shtesë në rast të lëndimit në vendin e punës. Gastronomët, në këtë mënyrë, do të mund të angazhojnë edhe studentë, edhe pensionistë, si dhe të punësuar që do të punonin plus në veprimtarinë e tyre, gjithçka në një procedurë ligjore, duke plotësuar kështu fuqinë punëtore për të cilën aktualisht kanë mungesë,” deklaroi Lençe Kocevska, Ministria e Ekonomisë dhe Punës.
Persona të punësuar ose të papunësuar, studentë dhe pensionistë, mund të angazhohen në tri veprimtari – bujqësi, gastronomi dhe shërbime personale – pa e humbur pensionin, bursën studentore apo ndihmën sociale. Përfitime do të kenë edhe punëdhënësit, pasi kontributet do të paguhen me normë të favorshme. Punëdhënësit do të mund të angazhojnë një person për maksimumi gjashtë muaj, ndërsa punëtorët do të mund të punojnë gjatë gjithë vitit te disa punëdhënës. /Alsat.mk








